Hidroksilklorina dhe sindroma QT e zgjatur (LQTS): nje shfletim i literaturës per pacientët me pneumoni nga Covid-19 – Dr. Amarild Çuko
QT e zgjatur është një fenomen qe shfaqet tek elektrokardiograma (EKG) i cili konsiston në zgjatjen e intervalit QT mbi kufijtë normalë, që korrespondojnë me 440 msec tek burrat dhe 460 msec tek gratë. Eshtë një situatë patologjike e karakterizuar nga një zgjatje e fazës së repolarizimit ventrikular e cila shoqërohet me një rritje te rrezikut per aritmi kardiake pasi mund të krijojë shfaqjen e disa post-potencialeve të hershme që mund të shkaktojne aritmi fatale siç janë “torsade de pointes” dhe fibrilazioni ventrikular, edhe në një zemër me strukture normale. Gjatesia e intervalit QT është një parametër që ndryshon me rrahjet mesatare të zemrës dhe për të pasur një vlerë të saktë është e nevojshme të kryhet ekuacioni me këtë të fundit, duke nxjerrë kështu vlerën QT të saktë (QTc). Manifestimi klinik i këtij ndryshimi të EKG-së është sindroma QT e zgjatur (LQTS), e cila mund të jetë e lindur ose e fituar. Forma e lindur, trashëgimore përcaktohet nga një mutacion gjenetik. Forma e fituar vjen kryesisht nga përdorimi i disa ilaçeve dhe nga disa çrregullime të elektroliteve në gjak (kaliumi, magnezi).

Eshtë më shumë se njëqind numri i ilaçeve që janë të afta të veprojnë në repolarizimin e qelizave kardiake dhe të shkaktojne LQTS; si p.sh. disa antibiotikë, antidepresivë, antipsikotikë, diuretikë, antihistaminikë, disa ilaçe për aritmitë e zemrës, dhe ndër keto hidroksilklorina.
Hidroksilklorina është një ilaç i perdorur kunder malaries, por që përdoret edhe në disa sëmundje autoimune, përfshirë lupusin. Përdorimi off-label (pra duke tejkaluar perdorimin normal për çka njihet aktualisht) i këtij ilaçi është aprovuar nga agjenzia italiane e ilaçeve (AIFA) për pacientët që vuajnë nga pneumonia è lidhur me infeksionin Covid-19. Disa studime paraprake të kryera në Kinë kanë treguar një përmirësim tek pacientët e trajtuar me hidroksilklorinë në krahasim me grupin pa të. Doza e përdorur është ajo e 400 mg dy herë në ditë per ditën e parë dhe më pas vazhdon me 200 mg dy herë në ditë per 5-7 ditë trajtimi. Përdorimi i ketij ilaçi tek pacientët me infeksion Covid-19 është i kufizuar nga efektet anësore të rrezikshme, siç është ajo e LQTS dhe rrezikut për të zhvilluar aritmi fatale për pacientin. Sigurisht që ka një grup pacientësh me një rrezik më të madh për të zhvilluar LQTS në kombinim me hidroksilklorinën, siç janë ata me LQTS të lindur ose të fituar nga përdorimi kronikë i barnave që zgjasin intervalin QT (që permendëm më sipër). Por edhe ata që kanë kaluar infarkt të zemrës, ata që kanë rrahje shume të ulta të zemrës (<50 bpm), ata që kanë aritmi ventrikulare.
Prandaj, edhe pse hidroksilklorina është një ilaç i njohur, i përdorur gjerësisht dhe i toleruar mirë, përdorimi i tij off-label tek pacientët Covid-19 sigurisht që kërkon një ekzaminim të plotë të pacientit, duke përfshirë paraprakisht dhe kryerjen e një EKG-je, për të identifikuar ato persona me një rrezik shtesë të zhvillimit të LQTS, në të cilën përdorimi i ilaçit duhet të vlerësohet me shumë kujdes dhe nën kontrollin e mjekut ose në një ambient spitalor.
Falenderim per informac ionet shkencore qe jepeni.Nje shkrim i plote dhe i kuptueshem nga te gjithe.Urojme qe ne kete situate te veshtire keni gjetur kohen per te shkruar dhe per te dhene ndihmesen tuaj per te gjithe ato paciente qe kane nevoje.