Si të mbetemi në formë edhe në kohë karantinimi këshilla në pilula – Dr. Erseida Arra
Në këto ditë po përballemi me situatë jo tipike e cila na detyron të jetojmë pothuajse 24 orët e ditës në shtëpi, vend që deri para disa javësh ishte i lidhur me pushimin dhe perkedhelitë. Nga çdo situatë kritike dhe të vështirë si kjo që po jetojmë, duhet të bëjmë një përpjekje për të mësuar si të vëzhgojmë situatën nga një perspektivë tjetër, duke u munduar ta konsiderojmë si një mundësi për të ndryshuar e përmirësuar veten dhe zakonet tona. Ja disa këshilla për të përballuar më së miri këte kohë.
Gatimi në shtëpi, sa anë të mira

Përgatitja e vakteve në shtëpi me produkte të freskëta dhe biologjike, eksperimentimi i recetave të reja mund të jetë një stimul i ndryshëm dhe pozitiv i kësaj kohe. Mundohuni që t’i ndani këto momente edhe me fëmijët tuaj; do t’i mbani ata aktivë e pse jo mund të jetë një mundësi e mirë që t’i shtyjë ata të provojnë ushqime që më parë i kishin refuzuar.
Ulni kaloritë që konsumonit zakonisht në një ditë aktive
Një aspekt tjetër që duhet marrë në konsideratë, është ai i uljes së kalorive që konsumohen gjatë 24 orëve. Ecja e pakët dhe qëndrimi për kohë të gjatë në pozicionin ulur, e lidhur kjo me qëndrimin në shtëpi, bën që sasia e kalorive të nevojshme të ulet ndjeshëm. Jo vetëm kaq, por të gjitha këto rrethana sjellin një rritje të konsiderueshme te stresit, i cili na con në konsumimin e tepërt dhe jo të nevojshëm të ushqimeve, vetëm për të gjetur pak kënaqësi.
Pini lëngje
Kujtohuni të mbani afër ujë dhe çajra të ndryshëm pa sheqer. Kjo ndihmon për të mbajtur nën kontroll urinë nervoze përvec faktit që një hidratim i mirë i organizmit ndihmon në funksionimin e mirë të tij.
Lëvizni
Mundohuni që cdo orë të lëvizni nga pozicioni ulur duke bërë një ecje të shpejtë nëpër korridor të shtëpisë, ose kush ka shtëpi private rreth saj. E mira është të shoqërohet edhe me ndonjë ushtrim për frymëmarrjen,step, ndonjë hedhje në litar apo tendosje. Aktiviteti fizik ndihmon në shkarkimin e tensioneve nervore.
Bëni pushime të shkurtra
Nëse jeni duke punuar nga shtëpia është mirë që herë mbas here të bëni një pushim të shkurtër. Nëse është e mundur dilni në ballkon; ajri i freskët dhe dielli do t’ju ndihmojnë të mbani përqendrimin gjatë ditës duke rritur ndjeshëm rendimentin e punës suaj.
Zemra
Mbani në frigorifer ushqime të shëndetshme dhe të përgatitura pak më parë. Në këtë mënyrë mund të parandalojmë krizat e urisë nga nervozizmi dhe stresi. Ushqimet e përgatitura pak më parë duhet të kenë një gatim të thjeshtë dhe të gatshme për t’u konsumuar. Ja disa ide:
- hummus qiqrash me perime të ziera
- salcë kosi me perime të gjalla
- 20g Parmigiano dhe perime të gjalla
- Kos me luleshtrydhe dhe fara të ndryshme
- Fruta të stinës me bajame
Mos hani shumë shpesh , mësoni të thoni “jo”; të qënit të vetëdijshëm per elementin psikologjik, është hapi i parë i nevojshëm për të ndryshuar një sjellje.
Mos hani në orët e vona
Mund të përfitojmë nga kjo periudhë për të darkuar më herët, duke zgjatur kështu agjërimin gjatë natës. Pushimi i mendjes dhe i trupit është thelbësor për ekuilibrin psiko-fizik. Mundohuni të lini të kalojë të paktën 12 orë nga ngrënia e darkës në ngrënien e mëngjesit. Në këtë mënyrë edhe gjumi do të jetë më i qetë.
Shpenzimet inteligjente
Me ndihmën dhe sygjerimet e familjarëve ,bëni menunë e javës për drekën dhe darkën. Në këtë mënyre mund të kuptoni shpërndarjen e përbërësve (karbohidrate, proteina dhe yndyrna) gjatë javës, me qëllim që të ekuilibroni të gjithë makronutrientet. Kjo do t’ju ndihmojë edhe të evitoni shpërdorimin e ushqimit duke reduktuar kështu edhe shpenzimet.
Nuk ekzistojnë dieta mrekullibërëse që mund të parandalojnë një infeksion viral në përgjithësi; por duke mbajtur një stil jete të shëndetshme, si në ushqim dhe në vija të përgjithshme, sigurisht i japim organizmit tonë elementet e nevojshem per të reaguar denjësisht ndaj streseve të jashtme. Kujtojmë se ushqimi i shëdetetshëm, aktiviteti fizik, hidratimi korrekt dhe gjumi i qetë luajnë një rol shumë të rëndësishëm në parandalimin e sëmundjeve në përgjithësi.
Dr. Erseida Arra
Faleminderit Dr Eda ,jane vertet sugjerime te vlefshme ne keto dit te veshtira qe po kalon e gjithe bota.Jemi krenare per ty dhe gjithe koleget e tjere qe me keshillat dhe sugjerimet shendetesore qe jepni ndihmoni shqiptaret kudo ne bote .